Reali fitoi mërkurën ndaj Shakhtar Donetsk dhe tashmë kualifikimi për në turin e ardhshëm në Champions League është shumë pranë. Megjithatë, tifozët në Bernabeu mbetën të zhgënjyer nga loja e Los Blancos dhe u deshën magjitë e dyshes Benzema-Vinicius për të evituar ndonjë katastrofë.
Pikërisht tek golat e Realit del në pah një e dhënë shqetësuese: Reali nuk ka asnjë armë tjetër, përveç 2 sulmuesve që edhe dje shënuan e pasuan për njëri-tjetrin tek të dy golat.
Realisht, madrilenët prodhojnë shumë: 66 raste për gol këtë sezon në Champions. Vetëm Bayern ka prodhuar më shumë, 67 raste, ndërsa Ajax është i treti, me 59 raste.
Po golat? Bayern ka shënuar 17 herë, Ajax 14 dhe Reali vetëm 9 herë.
Shifra që flasin qartë dhe që evidentojnë diçka: Nëse tek Bayern dhe Ajax shënojnë të gjithë, Reali ka vetëm 2 kërcënime për kundërshtarët dhe mesfushorët e mbrojtësit janë të parrezikshëm në zonën kundërshtare. Kjo gjë shton presionin mbi Benzema e Vinicius, ndërkohë që u jep mundësi ekipeve kundërshtare të ndërtojnë strategji mbrojtëse duke u kujdesur vetëm për dy yjet e Realit.