Real Madrid vitet e fundit ka investuar jo pak në tregun brazilian, duke blerë disa lojtarë të rinj, me shpresën se investimi do të rezultojë fitimprurës në një epokë ku klubet si PSG e Manchester City e kanë shumë të thjeshtë të fitojnë çdo ankand për lojtarët e njohur.
Megjithatë, nëse Vinicius po ia del mbanë dhe Rodrygo ka ende shanse të tregojë sa vlen në Madrid, një tjetër i ri që nuk pati kohë në Madrid po vuan edhe në huazim. Bëhet fjalë për Reinier Jesús, i cili në verë 2020 u transferua në Dortmund, në huazim për 2 vjet.
Nëse sezonin e shkuar Reinier luajti disa ndeshje, këtë sezon hapësira për të ka qenë shumë e vogël dhe Real Madrid po mendon ta ndërpresë huazimin që në janar.
Portali ‘torcedores.com’ raporton se agjenti i sulmuesit 19-vjeçar ka nisur bisedimet për ta çuar tek Benfica, aty ku trajner është Jorge Jesus, i cili në 2019 drejtonte Flamengo, duke i dhënë hapësirë talentit brazilian, i cili në 15 ndeshje shënoi 6 gola, plus 2 asiste.
Benfica kërkon të paguajë vetëm gjysmën e pagës, por Reali kërkon diçka tjetër: përfshirjen e një klauzole që e detyron Benfican ta blejë sulmuesin për 20 milionë euro, me Realin që synon të ruajë të drejtën e riblerjes për 30 milionë. Në këtë mënyrë, edhe Benfica do të kishte stimul për t’i dhënë hapësirë lojtarit, por edhe Reali do të rikupronte një pjesë të shpenzimit, nëse lojtari nuk ia del as në Lisbonë.