Vinicius Junior e ka nisur shumë mirë sezonin e ri, është kthyer në titullar të rëndësishëm për Realin dhe grumbullohet rregullisht nga Brazili, ndaj tashmë përfaqësuesit e tij kanë nisur mesazhet drejt klubit madrilen për të diskutuar modifikimin e kontratës, me zgjatje kontrate dhe rritje page.
Për momentin nuk ka asnjë kontakt zyrtar, por agjenti i Vinicius, Federico Pena, ka nisur fushatën mediatike, duke folur për Globoesporte në Brazil.
“Është normale që kur një lojtari i mbeten 2 vite në kontratë të nisin bisedimet për rinovim. Çfarë do të ndodhë? Nuk e di, gjithçka varet nga Reali”.
Vinicius ka kontratë deri në 2024 dhe agjenti i tij paralajmëron për bisedimet që duhet të nisin verën e ardhshme, në rastin më të largët. Reali rinovoi vjet me shume lojtarë dhe verën e ardhshme do të duhet të blindojë edhe Vinicius, për të qenë i qetë.
Nuk duhet harruar që klubet e pasur, duke nisur nga PSG, po tentojnë të shfrytëzojnë okazione të tilla, me lojtarë që i afrohen fundit të kontratës, duke joshur agjentët me komisione të frikshme.
Vinicius merr aktualisht 3,2 milionë euro neto në sezon, shifër që me bonuse mund të kapë 4 milionë euro. Kjo do të thotë që Vinicius është një ndër 4 lojtarët me pagën më të ulët te Real Madrid.
“Nuk e dimë realisht cilat janë pagat e lojtarëve të tjerë, por le të themi që Vinicius është në fashon e tretë. Vinicius është lojtar perspektivë, Reali e ka blerë kur nuk kishte luajtur ende ndeshje profesioniste dhe është më mirë që ka kontratë të tillë, për të mos pasur presion të tepërt. Kur të vijë koha, do rinovojë dhe ndoshta do kalojë në fashon e parë”, deklaron agjenti i Vinicius.