Paul Pogba do të përfundojë kontratën me Man Utd verën e ardhshme dhe ka kohë që përflitet se si një nga objektivat madhore të Real Madrid. Megjithatë, drejtuesit e Los Blancos janë menduar gjatë muajt e shkuar dhe vendimi final është që mesfushori francez nuk është më një objektiv.
Nuk është çështje teknike, sepse Pogba është lojtar i nivelit të lartë dhe do të ishte një përforcim me shumë vlerë, por Reali në mesfushë ka shumë lojtarë dhe drejtuesit e klubit mendojnë se shpenzimi për francezin është i panevojshëm.
Pogba, nëpërmjet agjentit të vet Mino Raiola, kërkon një pagë prej 20 milionë eurosh neto, ndërkohë që vetë Raiola kërkon komision të frikshëm, ndaj Florentino Perez ka vendosur të thotë “jo”, sepse ka një plan më ambicioz.
Sipas mediave në Spanjë, presidenti i Realit ka vendosur që paga 20 milionë euro, ose pranë kësaj shifre, do të rezervohet vetëm për 2 emra: Mbappe ose Haaland. Aktualisht Gareth Bale e Eden Hazard janë lojtarët më të paguar të Realit, me 12 milionë euro neto secili, por uellsiani do të largohet në janar ose verën e ardhshme, ndërkohë që nëse vjen ofertë, edhe Hazard do të shitet.