Federico Valverde ishte njëri nga emrat më të përfolur të javës së fundit, pasi ishte në qendër të vëmendjes që nga e shtuna për sulmin e tij ndaj Alex Baenës pas përballjes së Real Madridit me Villarrealin.
Të gjithë pritnin ta shihnin në fushë Valverden, për të ditur reagimin e tifozëve dhe të tij pas incidentit me futbollistin e Villarrealit në parkingun e Bernabeut, ku uruguaiani goditi me grusht Baenan.
Përpara se të fillonte ndeshja kundër Chelseat, me dy skuadrat tashmë të gatshme për të filluar lojën, tribunat e Bernabeut filluan të brohorasin emrin e uruguaianit, i cili ia ktheu gjestin, duke vendosur njërën dorë në zemër dhe tjetrën në drejtim të tribunave, në formë falënderimi.
Por pas falënderimeve, Valverde bashkoi duart në ajër, në një lloj gjesti për të kërkuar falje. Uruguaiani nuk foli pas ndeshjes, ndaj nuk mund të dihej nëse ky gjest ishte një kërkim falje ndaj tifozëve apo thjesht reagonte me mirënjohje ndaj thirrjeve.
Ai që foli për Valverden ishte trajneri i tij, Carlo Ancelotti, i cili tha: “Për mua Valverde ka qenë më i miri në fushë. Pas dhjetë minutash ne kemi ndryshuar pak pozicionin dhe ka qenë çelësi i rimëkëmbjes”.
Standing ovation for Valverde from the Bernabéu. 🙌🇺🇾🦅 pic.twitter.com/Iy0dkRo09C
— 𝙇𝘽𝙕 (@losblancoszone) April 12, 2023