Mesfushori veteran i Real Madridit, Luka Modric, hodhi poshtë një ofertë të madhe nga Arabia Saudite, sepse ai dëshiron të pensionohet në Madrid, sipas mediave spanjolle.
Mësohet se lojtarit kroat iu ofrua të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare, me 30 milionë euro për çdo sezon.
37-vjeçari iu bashkua Los Blancos në vitin 2012 dhe ka luajtur një rol kyç në pesë tituj të Ligës së Kampionëve. Kontrata e tij me skuadrën do të përfundojë në fund të sezonit aktual.
“Po bëj gjithçka që mundem për të dhënë më të mirën time dhe për të merituar mundësinë për të vazhduar këtu. Nuk mund të bëj më shumë, kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me klubin dhe kjo nuk do të ndryshojë”, tha Modric në shkurt të këtij viti.
“Ashtu si vitin e kaluar, nuk ka nxitim, ne jemi në gjysmë të rrugës së sezonit dhe ka shumë sfida përpara. Unë jam i fokusuar në këtë, në rikthimin në nivelin tim më të mirë, le të shohim se çfarë do të ndodhë,” shtoi ai.