Los Blancos, pasi ka siguruar çerekfinalet e Chamoions-it dhe ka eliminuar francezët nga kompeticioni, ëndërrojnë gjëra të mëdha. Dhe pse jo, edhe në merkato. Pikërisht nga PSG duhet të merret Kylian Mbappe, objektivi i madh i Florentino Perez.
Por nuk mbaron këtu sepse tifozët e klubit dhe presidenti i madrilenëve duan të provojnë të marrin në Santiago Bernabeu edhe Erling Haaland.
Sulmuesi norvegjez ka lajmëruar Borussia Dortmund se do të largohet në fund të sezonit dhe në gjurmët e tij janë vënë edhe Barcelona me Manchester City. Megjithatë, duket se lojtari ka dalë hapur me një gjest që nuk ka kaluar aspak pa u vënë re.
Në fund të sfidës mes Real Madrid dhe PSG, në fakt, Haaland i ka bërë një “like” një postimi të Karim Benzema, protagonisti i sfidës së Bernabeut me një tregolësh në harkun e 17 minutave, i cili ka dashur të ndajë me ndjekësit e tij gëzimin për kualifikimin dhe i ka karikuar ata me thirrjen e zakonshme të betejës “Hala Madrid!”.
Tifozët duket se nuk kanë më dyshime dhe e kanë interpretuar gjestin në rrjetet sociale të norvegjezit si një “shkelje syri” ndaj Los Blancos, edhe pse nuk mund të përjashtohet një pëlqim i thjeshtë për Benzema. Gjithsesi, tifozët e Real Madrid kanë ëndërra të mëdha.