Në moshën 29-vjeçare, Casemiro po përjeton momentin më të mirë të karrierës. Ekspert, titullar i padiskutueshëm i Realit dhe Brazilit, mesfushori është bashkuar me kombëtaren për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2022 dhe ka dhënë një intervistë për ESNP Deportes, ku ka folur për momentin e tij dhe për disa shokë ekipi më Madrid.
NDESHJA QË I KA LËNË MË SHUMË MBRESA NË MADRID
“Kur mbërrita tek Real, luaja për Real Castilla dhe ëndërroja të luaja për ekipin e parë. Nuk e imagjinoja kurrë që do kisha këtë trajektore kaq të rëndësishme për klubin. Për këtë arsye, them që çdo ndeshje me këtë fanellë vlen shumë për mua, nuk zgjedh dot një ndeshje të veçantë”.
MESFUSHA ME KROOS E MODRIC, BAZA E SUKSESEVE MADRILENE
“Një privilegj i madh të luash për shumë vite në klubin më të madh në botë, me lojtarë si Kroos e Modric krah teje. Do të jem krenar gjithë jetën për faktin që kam luajtur me ta dhe do ua tregoj pasardhësve të mi që kam mundur të luaj me 2 ikona të futbollit”.
ZIDANE DHE ANCELOTTI
“Çdo trajner ka metodën e tij të punës dhe për fat po përshtatemi shumë mirë me Ancelottin, ashtu si ishim për shumë kohë me Zidane. Megjithatë, dua të theksoj diçka: më magjeps Ancelotti, një zotëri 62 vjeç, prej më shumë se 42 vitesh në futboll, që ka fituar gjithçka dhe në mënyrë të pabesueshme kërkon të fitojë sërish, ka motivim përditë që të na mësojë dhe të na japë nga eksperienca e tij”.
VINICIUS JUNIOR
“Mund të them që Vinicius Júnior është në momentin e tij më të mirë, një fazë e veçantë, speciale, dhe përveç kësaj është shumë i ri, ka një potencial shumë të madh rritjeje”.
TOPI I ARTË
“Është privilegj të luaj krah Karim Benzema dhe bën tifozllëk që ta fitojë ai Topin e Artë”.
NDRYSHIMET NË MBROJTJE
“Janë larguar dy ikona të historisë së Realit si Sergio Ramos e Varane, por mendoj se Militao e Alaba po bëjnë shumë mirë dhe po luajnë në nivel shumë të lartë. Militao ishte shumë lart edhe vjet, Alaba është përshtatur shumë shpejt në Madrid”.
MESFUSHORI DIFENSIV MË I MIRË NË BOTË
“Unë apo Kante? Preferoj ta jepni ju përgjigjen, por dua të theksoj që Kante, edhe pse lojtar i jashtëzakonshëm, ka luajtur në pozicion tjetër tek Chelsea, me më shumë liri për të sulmuar, ndërsa mesfushori difensiv ka qenë Jorginho. Ka edhe lojtarë të tjerë të nivelit shumë të lartë në pozicionin tim, si Busquets e Fabinho, jam i lumtur që përfshihem në grupin e më të mirëve në pozicionin tim. Jam mesfushor mbrojtës, por mundohem të luaj edhe topin, gjë që nuk është ndonjë risi, e kanë bërë edhe Mauro Silva, César Sampaio, Dunga, Makélélé, Gilberto Silva e të tjerë”.