Në çdo konferencë për shtyp Carlo Ancelotti shfaqet mjaft i qetë dhe i matur, nuk lëshon deklarata të forta dhe justifikon çdo lojtar që nuk po paraqitet në nivelin e duhur tek Reali. Megjithatë, faktet janë kokëforta dhe trajneri i Los Blancos në një farë mënyre e ka dhënë qartë mesazhin e tij: stoli nuk ekziston.
Në momentin që u kthyen titullarë si Mendy, Carvajal e Kroos, Ancelotti ndërtoi formacionin 4-3-3 me të cilin Reali funksionon më mirë dhe italiani e ka pasur shumë të vështirë të ndryshojë.
Lucas Vazquez si mbrojtës i djathtë nuk ka pasur ndonjë rendiment të lartë, Marcelo është në fundin e karrierës dhe në qendër Alaba e Militao nuk kanë zëvendës.
Në mesfushë të vetmit lojtarë që mund të luajnë titullarë pas Casemiro, Kroos e Modric janë Valverde dhe Camavinga, por uruguajani është më i rëndësishëm dhe dëmtimi i tij i ka hapur shumë probleme Realit, ndërsa Camavinga është ende i papjekur.
Sulmi është reparti më problematik, sepse Vinicius e Benzema bëjnë gjithçka, ndërsa Rodrygo mundohet të mbajë ritmin dhe të kompletojë repartin. Gareth Bale është zhdukur prej kohësh dhe duket se e ka mendjen tek golfi dhe Uellsi. Asensio ka luhatje shqetësuese rendimenti, alternon ndeshje të mira me ndeshje ku nuk prek fare top, në ato minuta që i jepen. Hazard është kthyer në “lule mos më prek”, pasi sa herë luan pëson ndonjë dëmtim të lehtë dhe Reali tashmë nuk ka as oferta për ta shitur. Jo rastësisht, Ancelotti kreu vetëm 2 zëvendësime në ndeshjen e fundit në Champions.
Topi është për Florentino Perez, në janar duhet ribërë stoli, për të mos pasur vetëm 12-13 lojtarë të gatshëm deri verën e ardhshme.