Real Madrid e ka të qartë tashmë se në të ardhmen tregu i futbollit do të bazohet tek gara për të zbuluar sa më shpejt talentet, para se çmimet të bëhen të papërballueshme. Jo rastësisht vitet e fundit klubi madrilen ka blerë Vinicius, Rodrygo, Reinier e së fundi edhe Camavinga, me shpresën se do të bëhen shtylla të Realit.
Verën e ardhshme Florentino Perez ka synim madhor Kylian Mbappe, i cili do të merret falas, por përforcimet në sulm nuk do mbyllen aty, sepse Perez kërkon të ndërtojë sulmin e dekadës së ardhshme.
Vinicius e Benzema po shkëlqejnë këtë sezon, por në të djathtë Rodrygo nuk ka të njëjtin rendiment dhe Reali kërkon një konkurrent për të, edhe për faktin se kur mungon Rodrygo, Ancelotti e ka të vështirë ta zëvendësojë.
Vëzhguesit e Realit kanë gjetur emrin e duhur dhe ia kanë këshilluar Perezit për verën e ardhshme: Antoni i Ajax.
Braziliani 21-vjeçar, sulmues i djathtë teknik dhe i shpejtë, i krahasuar me Neymar, luan në Holandë prej 2019 dhe është ndër lojtarët më të mirë të kampionatit. Këtë sezon ka shënuar 3 gola në kampionat dhe 1 në Champions, ku ka shtuar dhe 5 asiste, gjithnjë me nivel të lartë loje (Njeriu i Ndeshjes këtë javë në Dortmund). Ajax e bleu 15 milionë euro në 2019, verën e ardhshme do të mundohet të fitojë të paktën 40.