Edhe pse fitoi në mesjavë ndaj Shakhtar Donetsk, Reali vuajti dhe tifozët në Bernabeu ia nisën nga vërshëllimat, si gjithnjë kur nuk janë të kënaqur me lojën e Los Blancos.
Sulmi, me Benzema e Vinicius, funksionon më së miri, ndërkohë që edhe mbrojtja ka fituar siguri tani që janë kthyer Carvajal e Mendy.
Megjithatë, problemi i madh i Ancelottit duket qartë se është mesi i fushës. Trajneri i Los Blancos ka disa ndeshje që po përdor vetëm 3 lojtarë: Kroos, Modric e Casemiro. Të tre lojtarë fantastikë, por qartësisht mosha po ndihet dhe ritmi i Modric dhe Kroos nuk është ai i para disa viteve.
Pa Valverde, i dëmtuar, Ancelotti nuk ka asnjë ide si të ndryshojë lojën dhe duket qartë që nuk ka besim ende tek Camavinga, edhe pse francezi ka shumë talent dhe energji.
Po ashtu, Asensio e Isco janë jashtë planeve të Ancelottit, ndërkohë që edhe Hazard nuk duket më në fushë, ose luan pak minuta në fund.
Në mesjavë Ancelotti e kuptoi se gaboi, sepse Marcelo, Asensio e Hazard qëndruan 40 minuta në nxehje, pa u aktivizuar, ndaj shkoi dhe u kërkoi falje, duke e parë që ishin mjaft të mërzitur. Megjithatë, për të luajtur titullarë do të jetë mjaft e vështirë për këta lojtarë dhe në janar klubi duhet të mendojë ndonjë zgjidhje, nëse Ancelotti është i bindur të vijojë vetëm me 3 mesfushorët veteranë nga fillimi.