Luka Jovic është praktikisht një ish-lojtar i Real Madridit, sepse po luan gjithnjë e më pak dhe shpesh trajneri Carlo Ancelotti thuajse nuk e sheh fare. Dëmtimet e vogla janë thjesht një justifikim, sepse sulmuesi serb ka zhgënjyer dhe nuk është në nivelin që kërkon Reali.
Jovic kushtoi 60 milionë euro, shifër e frikshme, por me ecurinë e dy viteve të fundit çmimi i tij ka zbritur frikshëm dhe po ashtu pak klube kanë interes ta blejnë.
Megjithatë, një ndër klubet që kërkon urgjentisht sulmues është Arsenali dhe klubi anglez ka nisur bisedimet me stafin e lojtarit, përveçse i ka kërkuar Realit informacion në lidhje me sulmuesin.
Mediat në Spanjë raportojnë se Los Blancos kanë vendosur çmimin për Jovic: 25 milionë euro, për ta lënë të lirë në janar. Shifër goxha modeste, krahasuar me shpenzimin për Jovic, por nga ana tjetër vlera e tij në treg vështirë se shkon edhe 25 milionë.