Mbrojtësi i Realit, Dani Carvajal, ka dalë në konferencë për shtyp krah trajnerit Carlo Ancelotti, në prag të sfidës Champions, kundër Shakhtar Donetsk. Më poshtë deklaratat e tij…
SHAKHTAR
“Presim një ndeshje të hapur, sepse edhe Shakhtar ka nevojë për pikë. Nuk mendoj se do jenë pasivë”.
DËMTIMET
“Dua të kthehem në nivelin më të lartë. Pjesa më e vështirë ka qenë psikologjikja, sepse koka kontrollon gjithçka. Shqetësimi im i madh ka qenë të gjeja arsyen e dëmtimeve të shumta. Tani jam i qetë, gjithçka do shkojë mirë. Kam vazhdimësi, trajneri po i menaxhon mirë minutat e mia dhe po mundohem të jem në maksimum edhe në stërvitje. Dua të luaj nesër, ndihem 100% dhe shpresoj të kthehem në kombëtare”.
CHAMPIONS
“Reali është i aftë të mundë çdo ekip në botë, nuk jemi inferiorë ndaj Man City apo Bayern. Nuk ka rëndësi nëse na konsiderojnë apo jo favoritë, për ne është më mirë nëse na nënvlerësojnë. Në maj do i bëjmë llogaritë”.
RAMOS DHE SITUATA TEK PSG
“E kuptoj momentin e tij, jam i sigurt që ai është i pari që dëshiron të kthehet. Jam i sigurt që do kthehet në formë të plotë. Më duket e pabesueshme kur lexoj lajme që PSG mund t’i prishë kontraën, nuk ka kuptim. Do e prisja krahëhapur në çdo moment, në Madrid është shtëpia e tij dhe është një mik i mirë”.
HAZARD
“Situata e tij nuk është e lehtë. Edhe pse duket sikur nuk ka ndryshuar asgjë, nuk është ashtu. Ai po punon shumë dhe po mundohet të bëjë më të mirën për fizikun e vet. Po punon veçmas, po e rikap formën dhe jam i bindur që kur të jetë në formë të plotë, do të jetë sërish ndër më të mirët në botë”.