Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, ka prekur tema të ndryshme në konferencën për shtyp para Real-Shakhtar, duke folur edhe për lojtarë që kanë luajtur pak këtë sezon, si Bale, Hazard , Jovic e Asensio.
MOMENTI I REALIT: “Jemi mirë dhe jemi të lumtur për momentin që po përjetojmë. Po paraqitemi mirë, skuadra e di shumë mirë vlerën e ndeshjes së nesërme. Jemi ndeshur me këtë kundërshtar edhe para dy javësh. Do të zbresim në fushë me një strategji të mirë për të tentuar fitoren. Është një ndeshje e rendësishme. Fitorja ose humbja ndryshojnë shumë gjëra në grup, ndaj ka shumë rëndësi kjo ndeshje, sepse nuk duam t’i luajmë si finale dy ndeshjet e fundit. Duam të afrohemi sa më shpejt me kualifikimin, ndaj do të japim gjithçka. Skuadra nuk i gabon mendërisht ndeshje të tilla”.
HAZARD: “Po stërvitet mirë, për momentin shumë lojtarë na mungojnë. Duhet pasur besim se do vijë momenti yt. Mariano nuk kishte luajtur fare, por erdhi momenti i tij dhe u paraqit mirë, duke treguar profesionalizëm. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe Hazard dhe lojtarët e tjerë që nuk po luajnë”.
DE ZERBI: “Është një trajner i cili ka një ide të qartë në lidhje me atë që dëshiron të bëjë. Ekipet e tij kanë identitet të qartë. Është shumë i ri dhe mendoj se do ketë sukses në karrierë, sepse ka një ide shumë të mirë për futbollin”.
GARETH BALE: “Është i përqendruar. Situata e tij është e qartë. Ka pasur një dëmtim madhor, por tani është pranë riaftësimit të plotë. Mund të kthehet para Rayos, tani e ka grumbulluar ekipi kombëtar. Nëse do luajë për Uellsin, jemi të kënaqur, sepse i duhen minuta”.
RODRYGO: “Ka pasur një problem të vogël, nuk do jetë i gatshëm për nesër. Është diçka joserioze, mendoj se do kthehet pas ndërprerjes së kampionatit. Çështja e dëmtimeve është problem që ka lindur nga kalendari i ngjeshur. Duhet ta menaxhojmë sa më mirë”.
PROBLEMET NË BERNABEU: “E nisëm shumë mirë, më pas nuk fituam 3 ndeshje, duke shënuar vetëm një gol me penallti. Po e analizojmë këtë gjë, duhet të vazhdojmë të krijojmë raste, duke luajtur shpejt, veritikalisht, me cilësi. Problemet do zgjidhen shpejt, nëse e bëjmë këtë gjë”.
ASENSIO: “Nuk është anësor sulmi, është më shumë qendror. I kërkoj që të shijojë karakteristikat e tij, që janë ndryshe nga të Rodrygos. Rodrygo është i zoti në krah, Asensio ka një të majtë fantastike dhe ka dhënë kontribut sa herë ka luajtur”.
JOVIC: “Është mirë, është i lumtur që luan me ne. Mundohem t’i jap sa më shumë dashuri të jetë e mundur. Më pëlqen si sulmues, por ka përpara një si Benzema, sulmuesi më i mirë në botë. Duhet besim, do t’i vijë rasti”.