Real Madrid ia doli të merrte 3 pikët të shtunën në Elche, në një ndeshje jo të lehtë, por një paraqitje madhështore e Vinicius kompensoi mungesën e Karim Benzema dhe siguroi fitoren. Dy golat e brazilianit ishin vendimtarë për të qëndruar në grupin e kreut të tabelës, ndërsa tani Los Blancos shohin me qetësi nga sfida kundër Shakhtar Donetsk në Champions.
Megjithatë, Carlo Ancelotti ka marrë lajme të këqija nga ndeshja e fundit dhe duhet të shpikë sërish sulmin. Në Elche luajtën Vinicius e Rodrygo nga krahët dhe Mariano Diaz qendër.
Mariano Diaz theu hundën në një rënie të rrezikshme dhe është operuar, ndaj do të mungojë 10 ditë. Edhe pse këtë sezon kishte humbur dhe konsiderohej jashtë ekipi, sulmuesi 28-vjeçar luajti mjaft mirë në Elche dhe ishte një surprizë e këndshme, ndaj mund të ishte një opsion edhe ndaj Shakhtar.
Nga ana tjetër, Rodrygo pësoi tërheqje dhe doli shumë shpejt nga fusha, ndaj pritet të mungojë për një kohë të shkurtër.
Të paktën kthehet në dispozicion Karim Benzema, i cili do të jetë titullar, por krah tij nuk dihet ende kush do jetë. Vinicius ka nevojë për pushim dhe për fat Brazili nuk e ka grumbulluar, ndërkohë që pret një shans Hazard, apo Asensio, i cili tashmë duhet të luftojë për një vend në sulm. Ndërkaq, nuk dihet ende a është në formë të plotë fizike Luka Jovic, misteri i madh i këtij sezoni tek Reali.