Luka Jovic pritej të luante në Elche, si pasojë e mungesës së Karim Benzema, por kur u shpall formacioni zyrtar, të gjithë mbetën të habitur: Carlo Ancelotti kishte zgjedhur Mariano Diaz si sulmues të parë, me Jovic në stol.
Pas ndeshjes Ancelotti shpjegoi se Jovic kishte një dëmtim të lehtë dhe nuk ishte në 100% të formës, ndaj zgjodhi sulmuesin e vetëm në formë fizike, Mariano Diaz. “Jovic kishte një dëmtim në ndeshjen e fundit që luajti, ndaj Espanyol dhe nuk është stërvitur dot në maksimum, ndjen pak shqetësim. Për këtë arsye, nuk luajti”, tha Ancelotti.
Gjithçka ok, deri në momentin kur përfaqësuesit e Luka Jovic kanë lënë të kuptohet se sulmuesi serb nuk kishte asnjë problem fizik, ishte vetëm një vendim teknik i Ancelottit.
Këtë sezon Jovic ka pasur shpesh probleme fizike dhe në disa ndeshje nuk është grumbulluar fare, duke luajtur për herë të fundit para një muaji. Jovic u transferua tek Reali për 60 milionë euro në 2019, pas një sezoni madhështor me Eintracht Frankfurt, por ka zhgënjyer në Madrid dhe në 2 vjet aty ka bërë shumë pak, duke qenë një dështim total.
Nëse Ancelotti e ka lënë jashtë për zgjedhje teknike, do të thotë që Reali nuk e ka më fare në plane dhe serbi në janar do të largohet, nuk dihet ende ku dhe nëse në huazim, apo përfundimisht.