Real Madrid fitoi 2-1 në Elche dhe protagonist i madh ishte Vinicius Junior, autor i 2 golave për Los Blancos. Braziliani është në një moment të artë dhe ka mbërritur në kuotën e 7 golave në 11 ndeshje në LaLiga këtë sezon, duke qenë shënuesi i dytë më i mirë i kampionatit.
“Është punë e gjithë ekipit, punë që unë e kam bërë që kur kam ardhur në Madrid dhe tani më në fund gjërat po funksionojnë, po vijnë golat. Jam shumë i kënaqur për këtë gjë, dua të vazhdoj ta ndihmoj ekipin deri në fund të sezonit“, deklaroi Vinicius pas ndeshjes.
Përveç kësaj, sulmuesi zbulon atë që i tha Ancelotti në pushim: “Ndonjëherë duhet të qëndrojmë pas topit, të vrapojmë pak, që të jemi mirë në momentet e rëndësishme për të shënuar. Shpesh jemi mbrojtur mjaft mirë dhe para portës kundërshtare herët a vonë vijnë rastet“.
Në festimin e golit të dytë Vinicius u drejtua tek Modric: “Gjithnjë më kërkon që të luaj pa top, të lëviz shumë, sepse topi do vijë. Para ndeshjes ma kërkoi ta bëja këtë gjë dhe në ndeshje më eci mbarë, shënova 2 gola“.
Në fund, Vinicius ka fjalë të mira për Ancelottin: “Më jep shumë besim, mua dhe gjithë ekipit. Duhet të jemi të përgatitur, duhet të jemi gati sepse do duhen të gjithë, ka shumë ndeshje dhe do duhet të pushojmë ndonjëherë“.