Ancelotti është shfaqur para mediave pas fitores 2-1 të Real Madrid në Elche dhe ka komentuar 3 pikët e ardhura edhe falë paraqitjes perfekte të Vinicius.
NDESHJA
“E kontrolluam mjaft mirë, në pjesën finale të gjithë mendonin se kishte marrë fund, por ndeshjet nuk mbyllen pa vërshëllyer arbitri. Nuk ishte ndeshje spektakolare, por zhvilluam një ndeshje të mirë. Vinicius shënoi 2 gola fantastikë, na eci mbarë. Nuk luanim dot me intensitet më të lartë, pasi kemi pasur lodhje nga ndeshja e fundit”.
VINICIUS
“Është në super formë, po e ruan rendimentin e vet dhe po shënon rregullisht, jam i kënaqur. Luajti mirë edhe Mariano, i cili sidomos tek goli i parë ishte shumë i zoti, më pëlqeu. Nuk jam magjistar, nuk kam bërë asgjë, thjesht Vinicius po luan dhe i kam dhënë besim. Jovic? Nuk luajti sepse kishte një dëmtim të lehtë”.
PËRQAFIMI NË FUND ME LOJTARËT
“Pse më vlerësojnë kaq shumë? Nuk e di, duhet t’i pyesni. Kjo është mënyra si i krijoj marrëdhëniet me lojtarët, i dua shumë. E kam thënë gjithnjë që kur ul në stol një lojtar, ul lojtarin, jo njeriun. Njeriu për mua është në nivel shumë të lartë dhe këta lojtarë janë shumë profesionistë. Kjo është arsyeja e suksesit që ky ekip ka pasur në të shkuarën”.