Erling Haaland ka kohë që mendon për të ardhmen e vet dhe tashmë të gjithë e kanë të qartë se verën e ardhshme do të nisë një ankand për ta blerë, me Borussia Dortmund që e ka pranuar vendimin e sulmuesit.
Në garë për norvegjezin janë klubet më të pasur në planet, ndaj natyrisht Real Madrid do ta ketë mjaft të vështirë të shpenzojë aq shumë, duke pasur në plane Mbappe dhe përforcime në mbrojtje e mesfushë.
Megjithatë, Defensa Central në Spanjë raporton sot se rivali më i egër i Realit, PSG, duket jashtë gare. Është vendimi i vetë Haaland ai që mundëson këtë gjë, sepse sulmuesi i talentuar nuk pranon të luajë në Ligue 1, një kampionat që nuk është superior ndaj Bundesligës.
Haaland kërkon trofe ndërkombëtarë dhe të luftojë për Topin e Artë, ndaj e ka të qartë se në Paris ka shumë pak shanse t’ia dalë mbanë, duke parë edhe vitet e fundit, ku PSG ka shpenzuar pa fund, por dominimin shtëpiak nuk e shtrin dot në kontinent.
Kjo do të thotë që Haaland është më pranë Realit, edhe pse natyrisht Manchester United dhe Manchester City janë rivalë të rrezikshëm në merkato, sepse kanë fuqinë financiare për të fituar duelin me Realin. Megjithatë, nuk tërheqin sa Los Blancos, klub që ëndërrohet nga çdo futbollist dhe vetë Haaland e ka pranuar se e dëshiron.