Carlo Ancelotti është shfaqur sot para gazetarëve, për të analizuar ndeshjen që Reali do të luajë nesër në mbrëmje, kundër Elches. Pa pasur kohë për të menduar për barazimin kundër Osasunas, ekipi madrilen do të luajë në Alicante, ku do të luajë në një orar të pazakontë, 14.00.
PA PUSHIM
“EI përgatitim ndeshjet duke e ditur që aspekti fizik nuk është vendimtar, por me idenë për të vijuar të luajmë mirë dhe të qëndrojmë në krye. Duam t’i bëjmë gjërat sa më mirë, sidomos nga pikëpamja teknike dhe e strategjisë”.
XAVI, TRAJNER I BARCELONËS
“E njoh si lojtar, ka qenë fantastik. I uroj më të mirën edhe si trajner”.
NËSE HAZARD KËRKON LARGIMIN
“Kurrë në karrierën time nuk e kam ndalur një lojtar nëse ka dashur të largohet. Personalisht nuk kam dyshime, nëse një lojtar dëshiron të largohet, do të largohet. E kotë të mbash dikë me zor”.
ARBITRAT SPANJOLLË
“Nuk them që janë më të mirë se në ligat e tjera, nuk them as që janë më të këqinj. Janë ndryshe. Futbolli spanjoll është tashmë më global, ekipet mbrohen më mirë dhe janë më direkte, jo si në epokën time të parë në Madrid”.
SISTEMI I LOJËS SË REALIT
“Për momentin luajmë me 4-3-3. Nuk është i paprekshëm, por është sistemi më komod për këtë ekip. Ndoshta në ndeshje të veçanta mund të ndryshojmë, duke shtuar një sulmues”.
MODRIC
“Është stërvitur mirë dhe do luajë. Nuk luajti në mesjavë për probleme të vogla fizike dhe mbingarkesë”.
LOJA ME EKIPE TË MBYLLURA PAS
“Duhet të punojmë më shumë në aspektin ofensiv. Duhet të finalizojmë më mirë, që do të thotë të pozicionohemi më mirë, të lëvizim më shumë pa top”.
VAR
“Ka disa rregulla që për mua janë të ndërlikuara. Ai i pozicionit jashtë loje është i ndërlikuar dhe i padrejtë, për shembull”.
VINICIUS LUAN GJITHNJË
“Është shumë i ri, riaftësohet shumë shpejt dhe rikuperon më lehtë se të tjerët. Fizikisht është shumë mirë, nëse nuk do jetë do ulet në stol”.
FJALËT E ARBITRIT SOTO GRADO TË MËRKURËN
“Nuk dua të merrem me këtë histori, por ka shumë vonesa me VAR, me vonesat e shumta. Nuk është diçka e mirë kur ka shumë ndërprerje. Nuk është faji i VAR, për mua është diçka shumë e mirë, ka rregulluar shumë gjëra”.