Karim Benzema është ylli i padiskutueshëm i Realit, heroi që udhëheq ekipin me gola e me karizëm, duke qenë me të drejtë edhe një ndër kandidatët kryesorë për Topin e Artë.
Megjithatë, ky është edhe fillimi i problemeve për Realin dhe Carlo Ancelotti, sepse duket sikur skuadra pret vetëm heroizmat e francezit dhe nëse nuk shënon ai, të tjerët duket sikur fshihen, përveç Vinicius me raste.
U pa ndaj Villarreal, u pa ndaj Espanyol, ndodhi edhe ndaj Osasuna. Një barazim pa gola ku Reali vuajti për të gjetur hapësira dhe ku dukej qartë se pritej ndonjë shpikje nga Benzema, pasi askush nuk kishte forcën dhe zgjuarsinë për të çuar topin në rrjetë.
E keqja është se Benzema këtë sezon nuk po njeh pushim, si në kampionat, ashtu edhe në Champions, pa harruar kombëtaren franceze.
Ancelotti ka pasur në plan ta lërë pushim sapo të ketë mundësi, por përveç fitores së thellë ndaj Mallorca dhe asaj nr Ukrainë, Reali shpesh ka qenë në vështirësi dhe nuk bënte dot pa yllin e sulmit.
Në stol janë Luka Jovic e Mariano. I pari është një dështim, nuk ka justifikuar asnjëherë paratë e shpenzuara për të. I dyti është një i huaj në shtëpi, Reali donte ta largonte në verë dhe refuzimi i tij ka bërë që praktikisht Ancelotti mos t’ia hedhë sytë.
Zgjidhja është janari: Dy sulmuesit rezervë duhet të largohen dhe në vend të tyre duhet urgjentisht një përforcim cilësor, ekspert dhe i aftë të zëvendësojë Benzema kur ky ka nevojë për pushim. Një lojtar alla Cavani, me pak fjalë…