Real Madrid në fillim të këtij muaji humbi për 2 javë thuajse gjithë lojtarët e vet dhe shqetësimi kryesor ishte nga lojtarët e larguar për në Amerikën e Jugut, sepse kthimi i tyre të premten apo të shtunën bëri që një ndeshje kampionati të shtyhej dhe kalendari i Realit të ngjishet keqas në vijim.
Tortura do të rikthehet në nëntor, sepse sërish do të ketë 2 javë ndërprerje kampionati dhe do të rinisë lufta për lojtarët në Amerikën e Jugut.
Në këtë moment Reali ka një problem madhor dhe ai quhet Fede Valverde. Mesfushori u dëmtua në El Clasico dhe do të mungojë për 10 ditë, ndërkohë që kthimi në fushë parashikohet më 6 nëntor.
Pak ditë më vonë Uruguai e pret Valverden për kualifikueset e Botërorit, por Reali këtë radhë nuk ka ndërmend të pranojë. Valverde ka luajtur thuajse çdo ndeshje këtë sezon dhe pa u riaftësuar 100% ndoshta do të luajë edhe 2 ndeshjet kundër Argjentinës e Bolivisë, më 11 dhe 16 nëntor.
Reali do të luajë ndaj Granadas në 21 nëntor dhe kërkon ta mbajë në Madrid Valverden, për të mos rrezikuar. Do të bisedojë me federatën e Uruguait për një zgjidhje dhe nëse nuk ka ndonjë marrëveshje, do të nisë një konflikt që mund të përfundojë në dyert e FIFA-s.