Real Madrid mori një fitore të madhe në El Clasico dhe në teori Carlo Ancelotti ka gjetur tashmë formacionin bazë dhe skemën perfekte, 4-3-3. Megjithatë, jo gjithçka shkoi vaj për Los Blancos, sepse portiri Courtois dhe mesfushori Fede Valverde pësuan dëmtime, me uruguajanin që shqetëson më shumë.
Courtois ka kryer kontrollet mjekësore këtë të hënë dhe është gjithçka OK, por Valverde ka problem më serioz dhe pritet të mungojë thuajse 2 javë.
Nuk ka kohë as për festë, sepse të mërkurën në mbrëmje Reali kthehet në fushë dhe do të presë Osasunan. Edhe pse gjithçka shkoi mirë në aspektin e lojës në El Clasico, Ancelotti e ka të qartë se disa lojtarë nuk mund të luajnë çdo 3 ditë.
Mund të përfitojë Marco Asensio, i cili u fut në fundin e takimit në Camp Nou dhe e shfrytëzoi rastin, sepse në pak minuta arriti të krijonte golin e dytë, nga Lucas Vazquez. Rodrygo mund të ulet në stol këtë mesjavë, për të lënë vend për Asensio, i cili e ka kënaqur Ancelottin, por mund të ketë edhe ndryshime të tjera, sepse Carvajal e Hazard tashmë presin të luajnë nga fillimi për të arritur gradualisht formën e plotë fizike. Po ashtu, edhe Camavinga ka nevojë të luajë dhe mund të qëndrojë pushim një mes Modric e Kroos.