Vinicius Junior po përjeton një moment të shkëlqyer në Spanjë, por nuk mund të harrohen vuajtjet e tij në fillim të karrierës madrilene. Tallje, meme dhe ironi për shënjestrën e sulmuesit brazilian, edhe për faktin se kushtoi goxha, por tashmë është koha e hakmarrjes.
Në një intervistë për ESPN para El Clasico, Vinicius siguron se në mendjen e vet është “goxha i qetë, nuk ishte aq keq më përpara dhe nuk është gjithçka perfekte tani”.
“Duhet ekuilibër në gjithçka. Dëgjoj shumë miqtë e mi dhe personat që më rrethojnë në klub. Nuk isha lojtar i mbaruar kur më kritikonin, ashtu si nuk jam fenomen tani, duhet baraspeshë në gjykime”, shprehet Vinicius i cili në fakt para dy sezonesh vuajti shumë, aq sa kur shënoi një gol në Bernabeu u përlot, për shkak se ishte në një moment kur po e mbytnin kritikat.
“Mundohem të përmirësohem gjithnjë, stërvitem edhe në shtëpi. Pas ndeshjeve, në orën 2 të mëngjesit kur kthehem në shtëpi bëj fizioterapi, si dhe i nënshtrohem një diete strikte”, tregon Vinicius, i cili këtë sezon ka qenë lojtari më produktiv tek Reali, pas Karim Benzema.