El Clasico, ndeshja e ndeshjeve, Barcelona-Real Madrid, rikthehet këtë të diel prej orës 16.15, me përballjen e parë të sezonit që luhet në Camp Nou. Barcelona këtë javë ka fituar në Champions dhe ka rinovuar me Ansu Fati, duke rigjetur entuziazëm, por edhe Realir është në formë të shkëlqyer, pas fitores bindëse në Ukrainë ndaj Shakhtar Donetsk.
Në emisionin El Larguero në Cadena SER analistë të ndryshëm kanë folur për këtë supersfidë, duke dhënë mendimin e tyre në lidhje me ecurinë dhe përfundimin e mundshëm të ndeshjes.
“Për mua, Ancelotti është shumë më i mirë se Koeman si trajner, por në fund të fundit luhet në Camp Nou dhe do jetë shumë e vështirë, edhe nëse luajnë një ndeshje shumë të mirë. Klasiket vendosen nga detaje të vogla“, shpjegon gazetari i SER, Javeri Herraez.
Jesus Gallego, kolegu i tij, është në të njëjtën linjë: “Reali nuk shënon shumë, por shënon më shumë se Barcelona. Me Benzema, mbështetur nga Vinicius e Rodrugo, ka më shumë armë.
“Nëse Ancelotti nuk bën shpikje dhe luan si në mesjavë ndaj Shakhtar, Reali është në avantazh të madh. Barcelona është e rrethuar nga dyshimet, nuk mund të shpresohet vetëm tek Ansu Fati“.
Edhe Mario Torrejon zgjedh Ancelottin: “Ancelotti i ka gjetur 11 luftëtarët e tij“. Ndërkaq, Julio Pulido sheh Realin superior: “Barça ka vetëm Ansu Fati, Ter Stegen dhe pak Depay“.
Ish-arbitri i njohur Iturralde Gonzalez shprehet: “Nuk e di rezultatin, por di që Reali ka shansin më të mirë për të fituar me goleadë në Camp Nou“.
Kundër rrymës del Jordi Marti: “Nëse fiton Barcelona, kalon përpara në renditje dhe kriza kalon nga Barcelona në Madrid“.