Për herë të parë këtë sezon, Real Madrid është thuajse i plotë dhe rikuperon edhe lojtarë që mungonin prej kohësh, sepse për El Clasico mund të jenë gati edhe Dani Carvajal dhe Eden Hazard.
Megjithatë, nëse për Carvajal Ancelotti nuk ka vendosur ende a do ta grumbullojë, për Eden Hazard grumbullimi duket i sigurt, pasi prej ditësh punon vetëm për këtë duel, që nuk e ka luajtur kurrë në karrierë.
Këtu, gjithsesi, lind një problem, sepse mesfushori belg nuk ka lejen e stafit mjekësor për të luajtur titullar: sipas mediave në Spanjë stafi i ka këshilluar Ancelottit që Hazard të mos luajë më shumë se 20 minuta në El Clasico.
Hazard u kthye me dëmtim nga ndeshjet me kombëtaren dhe nuk u grumbullua për ndeshjen me Shakhtar. Forma e tij fizike është në fije të perit, sepse problemet muskulore nuk po i ndahen, ndaj tentohet riaftësimi i tij me shumë kujdes, pa e mbingarkuar, për të mos rrezikuar një dëmtim që do e linte muaj të tërë pa luajtur.
Për fat, Vinicius e Rodrygo janë në formë të shkëlqyer, ndaj Hazard nuk ka ngut, por nga ana tjetër belgu kërkon patjetër të luajë El Clasicon e parë në Spanjë.