Real Madrid kërkon një qendërmbrojtës cilësor dhe me eksperiencë për sezonin e ardhshëm, për të kompletuar qendrën e mbrojtjes, ku për momentin japin garanci vetëm Alaba e Milital.
Emri i pëlqyer nga drejtuesit e Los Blancos është Antonio Rüdiger, mbrojtësi i cili në fund të sezonit aktual përfundon kontratën me Chelsean dhe ka refuzuar të rinovojë.
Gjermani 28-vjeçar është ndër më të mirët në pozicionin e vet dhe Reali natyrisht joshet edhe nga fakti që e merr pa paguar asgjë, por nga ana tjetër do të duhet një sforcim i madh për sa i përket pagës dhe komisionit të lojtarit.
The Chelsea Chronicle raporton se Reali ka menduar një pagë prej 8,5 milionë eurosh neto në sezon, përveçse është gati të paguajë një komision të rëndësishëm në momentin e firmës, rreth 15 milionë euro.
Rüdiger kërkon një pagë shumë më të lartë, por natyrisht vështirë se mund ta marrë ndokund dhe nuk duhet harruar se Reali është një klub i ëndërruar nga çdo futbollist.