Kylian Mbappe ishte shënuesi i golit që i dha Francës Kupën e Kombeve të dielën, me një fitore 2-1 ndaj Spanjës në San Siro. Goli i tij ngjalli shumë polemika. Në pamje të parë, ai dukej qartësisht pozicion jashtë loje. Edhe përsëritjet treguan se ai ishte përtej mbrojtësit të fundit kur Theo Hernandez u përpoq t’i jepte një pasim.
Sidoqoftë, një teknikalitet bëri që goli të konsiderohej i rregullt, pasi prekja e Eric Garcia në top ndërtoi një fazë të re të lojës dhe lejoi që sulmuesi i Paris Saint-Germain të shënonte.
Më parë, Karim Benzema kishte regjistruar golin e barazimit në një stil më spektakolar, teksa shënoi me një goditje fantastike nga kufiri i zonës.
Natyrisht, është e qartë për tifozët e Real Madrid se shanset janë të mëdha që këta dy lojtarë të bashkohen në Bernabeu sezonin e ardhshëm. Mbappe, në fund të fundit, pritet të kalojë në skuadrën spanjolle kur kontrata e tij me PSG të përfundojë në verë.
Gjatë fundjavës, Franca ishte dëshmitare e premisave të një partneriteti të jashtëzakonshëm. Për momentin, megjithatë, mbetet vetëm kaq. Mbappe dhe Benzema u kombinuan vetëm në mënyrë sporadike, megjithëse kur e bënë, ishte pashmangshmërisht shpërthyese. Pjesërisht, kjo ishte për shkak të mungesës së zotërimit të topit nga Franca, ndërsa pjesërisht edhe për shkak të mungesës së kohës së lojës së bashku. Fundja, Mbappe e Benzema kanë luajtur së bashku vetëm në tetë raste.
Trajneri Didier Deschamps duhet të jetë entuziast nga ideja që kjo dyshe të punojë së bashku çdo ditë tek Real Madrid. Cilësitë e tyre individuale tashmë kanë mposhtur dy nga ekipet më të mira të Evropës, dhe duket se ata ndoshta po veprojnë në rreth 50% të asaj që mund të jenë të aftë.
Ishte e qartë se asnjëri prej tyre ende nuk e kupton plotësisht lojën e tjetrit, por nëse ata arrijnë të shfaqin llojin e bashkëpunimit që vjen me stërvitjen e përditshme së bashku, kjo e bën Francën një ekip krejtësisht më të frikshëm.
Lëvizja thuajse e pashmangshme e Mbappe për tek Real Madrid do t’i japë atij katër muaj për të punuar me Benzema para mbrojtjes së Kupës së Botës në Katar – dhe ky është një transferim që mund të ndryshojë rrënjësisht shpresat e Francës për të fituar trofeun.
Robin Bairner, GOAL.COM