Seria e intervistave që Kylian Mbappe dha ditët e fundit, ku pranonte se verën e shkuar kishte kërkuar të transferohej tek Real Madrid, ishte sinjal shumë shpresëdhënës për Realin, aq sa presidenti Florentino Perez deklaroi: “Flasim në janar, të presim deri atëherë”, duke dhënë mesazhin se prej 1 janarit do të nisë puna për firmën me yllin francez.
Megjithatë, pak orë pasi Mbappe doli dhe foli hapur, në fushë zbriti e ëma e tij, Fayza Lamari, që lëshoi një deklaratë të bujshme dhe krejt kundër asaj që thoshte i biri: “Po bisedojmë me PSG për rinovim dhe bisedimet po ecin mbarë”.
Një deklaratë që ka shqetësuar jo pak Realin dhe nuk është hera e parë që familja e një ylli bëhet problem. Ndodhi edhe me Mustafa Özil, i cili bindi Mesut Özil që të transferohej tek Arsenali, duke qenë edhe agjenti i tij. Mustafa Özil mori 7 milionë euro komision nga Arsenali dhe për këtë arsye i bënte presion të birit, gjë që vetë Mesut e ka rrëfyer në autobiografinë e tij.
Reali ka pasur kohët e fundit probleme edhe me Hans-Erik Odegaard, babain e Martin, i cili për të çuar të birin në Madrid kërkoi pagë mbi 3 milionë euro në sezon, mori një vend pune tek Reali si komision dhe kërkoi edhe përfshirjen e të birit në ekipin e parë, edhe pse trajnerët e Realit nuk ishin dakord.
Në të ardhmen Reali sheh me frikë jo vetëm nga mamaja e Mbappe, por edhe nga babai i Erling Haaland, i cili së bashku me Mino Raiolan kontrollojnë karrierën e yllit norvegjez. Erling preferon Realin, por Raiola kërkon komisione të frikshme dhe në verë 2022 gjithçka mund të ndodhë.