David Alaba ishte një ndër përforcimet e Real Madrid verën që lamë pas, me austriakun që la Bayernin pas shumë vitesh në Mynih, duke dalë si lojtar i lirë në treg dhe duke firmosur për Realin.
Me sa duket, në Mynih ende ia mbajnë inatin për atë largim, sepse një ndër personazhet më të rëndësishëm të klubit bavarez, Uli Hoeness, ka deklaruar: “David Alaba më tha një herë: ‘Ëndrra ime është të luaj për Barcelonën'”.
Një deklaratë që vetë Alaba e ka përgënjeshtruar menjëherë, ndonëse me buzëqeshje dhe diplomaci: “E mbaj mend mirë atë bisedë me Hoeness. Nuk shkoi ashtu si thotë Hoeness, është gënjeshtër, por nuk po e them çfarë thamë”.
Alaba është i lumtur në Madrid: “Përshtypjet e muajve të parë janë shumë pozitive. Jam i lumtur këtu, po e shijoj shumë këtë sfidë të re, në një vend dhe kulturë të re”.
Alaba flet edhe për atmosferën pas humbjes ndaj Sheriff: “Nuk ishte e lehtë për ne. Pas ndeshjes ishim bosh, fizikisht dhe emocionalisht. Ishte një natë e hidhur, në një ndeshje që po ta luajmë edhe shumë herë të tjera, nuk përfundon ashtu”.