Dita e sotme shënon 15-vjetorin e debutimit të Ronaldo Nazarios me Real Madridin. Ishte 6 tetor 2002, në një ndeshje ndaj Alaves në Santiago Bernabeu.
Një ndeshje e paharrueshme për tifozët e Los Blancos, me brazilianin që u aktivizua në minutën e 63-të të sfidës.
Vetëm 62 sekonda pas futjes në fushë, Ronaldo shënoi golin e parë, pas një pasimi nga Roberto Carlos.
Los Blancos paguan 45 milionë euro për t’ia marrë Interit vetëm një orë para mbylljes së merkatos dhe brazliani kishte treguar në Kupën e Botës 2002 se i kishte lënë pas problemet në gju.
Ronaldo e la Interin pas 58 golash në 99 ndeshje zyrtare, në 5 sezone si zikaltër. Prej tetorit 2002 deri në 7 janar 2007, kur luajti ndeshjen e fundit për Realin (kundër Deportivos në Riazor), braziliani luajti 170 ndeshje, duke shënuar 104 gola. Ai fitoi 2 kampionate, një Superkupë Spanje dhe një Kupë Interkontinentale.