Kylian Mbappe tashmë është një i huaj në shtëpi tek PSG, pas intervistave që po jep këto ditë.
“Në verë kërkova largimin, doja të ikja si mik dhe të lejoja PSG të fitonte para nga shitja ime. Nuk e pranoj të thonë që lajmërova në gusht, nuk dua të ngjaj si hajdut, sepse e lajmërova klubin që në fillim të verës”, ka thënë Mbappe në një intervistë për RMC, ndërkohë që deri nesër do të dalin deklarata të tjera, sepse do të publikohet intervista e plotë dhe do të dalë edhe L’Equipe me intervistë të gjatë.
Sinjali është i qartë: Mbappe tashmë ka nisur luftën me PSG dhe në klubin parisien janë befasuar dhe irrituar me deklaratat e sulmuesit.
Për këtë arsye, PSG po mendon një lëvizje të bujshme që në janar: Mbappe në shitje, qoftë edhe me çmim shumë modest krahasuar me rreth 150 milionë që ofronte Real Madrid në verë.
Nëse Real do të pranojë të paguajë, edhe për faktin se ka probleme të mëdha në sulm, PSG do të firmosë menjëherë, për t’i bërë një ofertë monstruoze Dortmundit për Erling Haaland.