Në Madrid kanë rënë kambanat e alarmit, pas 8 ditësh të tmerrshme, ku Reali ka regjistruar një barazim dhe 2 humbje. Një zgjim i keq, pas fitores kundër Mallorcas, ku gjithçka dukej perfekte dhe flitej për arratisje në krye të LaLiga.
Më pas, 2 gola në 3 ndeshje, asnjë fitore dhe lojë e dobët: në Madrid kjo përkthehet me krizë. Ancelotti është ende i qetë, por duhet të gjejë zgjidhje gjatë periudhës së gjatë të pushimit, sepse ndeshja e radhës kundër Athletic është shtyrë dhe pas saj e ka radhën ndeshja delikate me Shakhtar.
Ancelotti kohën e fundit ka hasur probleme që dukeshin të zgjidhur. Benzema është i vetmuar, i detyruar të zgjidhë ndeshjet pa ndihmën e shokëve, nga të cilët nuk shënon më askush.
Mungesës së golit i shtohen problemet mbrojtëse, që sa vijnë e përkeqësohen. Kundërshtarët i krijojnë shumë lehtë rastet kundër Realit dhe Ancelotti nuk ka zgjidhje, thjesht bën rotacion, ndryshon lojtarë e sistem loje nga një ndeshje në tjetrën.
Pas Champions, Reali do të luajë Klasiken kundër Barcelonës, dhe është një ndeshje që duhet fituar, për të mos lëshuar kreun dhe për të mos i bërë dhurata të tjera edhe Barçës, që nuk është larg dhe ka luajtur një ndeshje më pak. Nëse kjo ndodh dhe Barça merr kreun, në gjendjen që është, atëherë kriza e Realit është e thellë, shkruan MARCA në analizën e saj.