Florentino Pérez ka vendosur një synim madhor për verën e ardhshme: Kylian Mbappe. Francezi, megjithatë, është vetëm i pari nga goditjet e mëdha të Realit, që financiarisht është në gjendje perfekte dhe do të tentojë edhe Erling Haaland nga Dortmund.
Ky është plani për sulmin, por ndërkohë edhe repartet e tjera do të pësojnë ndryshime dhe në mesfushë parashikohen 3 ndryshime madhore. Carlo Ancelotti u ka dhënë hapësirë të gjithëve në këtë repart dhe pak nga pak po fitojnë terren të rinjtë si Eduardo Camavinga, por nga ana tjetër disa lojtarë janë në fundin e karrierës madrilene.
Isco, Ceballos e Asensio janë 3 lojtarë që duket se nuk kanë të ardhme në Madrid dhe vetëm një shpërthim në muajt e ardhshëm do të ndryshonte planet e klubit.
Në vend të tyre, klubi madrilen ka në plan 3 emra me cilësi të jashtëzakonshme. I pari është Brahim Díaz, i cili ka shpërthyer tek Milani dhe Reali synon ta ndërpresë para kohe huazimin 2-vjeçar. Natyrisht, nëse Milani do të jetë dakord.
Veç Brahim, Reali synon 2 emra në Angli: Paul Pogba dhe Tielemans. Francezi del në treg i lirë verën e ardhshme dhe është objektiv i arritshëm, ndërsa Tielemans është goxha i shtrenjtë, edhe pse natyrisht Reali në këtë moment e ka forcën të shpenzojë shifra të rëndësishme.