Sot në mbrëmje Real Madrid do të presë FC Sheriff, për ndeshjen e dytë në fazën e grupeve të Champions League. Natyrisht, Reali është favorit i madh në letër, por edhe vetë Ancelotti dhe lojtarët madrilenë e pranojnë se nuk e njohin ekipin që do të kenë përballë sot.
Sheriff ka një histori të veçantë, që nuk i përket asnjë kombi në Europë. Bëhet fjalë për ekipin kampion të Moldavisë, por vetë Sheriff është nga Transnistria, një krahinë brenda territorit moldav që konsiderohet e pavarur. Për këtë arsye, Sheriff quhet kampioni i një vendi që nuk ekziston, të paktën ligjërisht.
Klubi është themeluar në 1997, e ka selinë në Tiraspol dhe financohet nga konglomerati Sheriff, që i lejon të ndërtojë ekipe mjaft të forta, edhe pse në një ndër shtetet më të varfra në Europë, i rrënuar edhe më keq nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.
Vitet e fundit marka Sheriff është përhapur me shpejtësi dhe tashmë është simboli i qytetit. “Kudo që shkon, në restorant, supermarket, pikë karburanti, të del përpara Sheriff”, thotë trajneri spanjoll Juan Ferrando, në një intervistë për EFE. Energji, ndërtim, alkool, duhan, karburant, telekomunikacione, markete, palestra, të gjitha në Moldavi i kontrollon Sheriff LLC, që mban gjallë edhe Transnistrian.
Sheriff është themeluar nga Viktor Gushán në 1993, fillimisht biznesi, pastaj në 1997 klubi i futbollit, që ka fituar 19 nga 21 kampionatet e fundit në Moldavi. Gushan ka qene pjesë e KGB, shërbimet sekrete sovjetike, ndërsa në vitet 90 thuhet se kontrollonte kontrabandën e cigareve, alkoolit dhe ushqimeve në portin e Odesës, në Ukrainë. Aktualisht, Sheriff paguan gjysmat e taksave të Transnistrias dhe një ndër 5 persona në republikën e Transnistrias punon për Sheriff. Sipas FORBES, Sheriff ka një pasuri prej 2.300 milionë eurosh, ndërkohë që akuzohet se paguan taksa në shifra qesharake, në krahasim me sa duhet të paguajë realisht.
Falë mbështetjes nga Moska, Transnistria vepron si shtet i pavarur, edhe pse zyrtarisht është pjesë e Moldavisë dhe nuk njihet nga asnjë vend në botë. Kjo histori zgjat prej 3 dekadash dhe ka bërë që Transnistria të mbetet e izoluar, një vend ku mbeten gjallë simbolet e epokës sovjetike, si tanke, monumente e statuja të Leninit.
Shumë pak lojtarë të Sheriff e kanë takuar dhe kanë biseduar me Gushan, personazh misterioz dhe për të cilin ekzistojnë shumë histori të çuditshme, nuk dihet sa të vërteta.
Në një ndeshje po humbnim dhe në pushim Gushan erdhi në dhomat e zhveshjes. Hodhi një bombë në tokë. Po vdisnim nga frika. Pas 3 minutash u kthye dhe tha: ‘Nëse humbisni, pas ndeshjes ajo bomba do jetë e vërtetë'”, tregonte një herë futbollisti rumun Florin Motroc, i cili ka luajtur për Sheriff në fundin e viteve ’90.