Real Madrid e ka nisur në formë spektakolare sezonin, sepse ekipi i drejtuar nga Carlo Ancelotti është transformuar krahasuar me sezonin e shkuar, në aspektin e lojës dhe sidomos në sulm.
Pas goleadës kundër Mallorcas, kryesuesit e LaLiga kanë shënuar 21 gola në kampionat. Duke e krahasuar me të shkuarën, shifra të tilla të kujtojnë sezonin 2011-12, ndaj me ritmin aktual mund të tentohet thyerja e rekordeve të skuadrës që atëherë drejtohej nga Jose Mourinho.
Në këtë moment Reali po ecën me një mesatare prej 3.5 golash për ndeshje në kampionat, shifra të frikshme, që krahasohen me vitin 2012, kur Reali doli kampion me ecuri të pabesueshme.
Ekipi i Mourinhos grumbulloi 100 pikë dhe theu rekordin e golave të shënuar, me 121 të tillë, edhe pse në 6 javët e para kishte humbur një ndeshje dhe kishte 13 pikë, krahasuar me 16 që ka tani. Në këtë moment Reali ka një ritëm që mund ta çojë në kuotën e 101 pikëve dhe 133 golave të shënuar.