Në artikullin e tij të fundit për të përditshmen spanjolle AS, gazetari i njohur tifoz madrilen Tomás Roncero është ndalur gjerësisht tek kapiteni i Realit, Karim Benzema.
“Për vjetërsi, shiriti i kapitenit i takon Marcelos. Megjithatë, vitet kalojnë dhe mes dëmtimev dhe formës së dobët, Marcelo zor se luan titullar tashmë. Kjo ka bërë që shiriti të kalojë mes veteranëve të tjerë dhe i ka mbetur Benzemasë.
“Që prej fillimit të sezonit, ai e ka mbajtur me krenari shiritin, që përkthehet me 12 vite qëndrim në Bernabeu. Ka zëvendësuar Sergio Ramos, por kjo gjë nuk i peshon, sepse është në shtëpinë e tij, e shijon të qenit lider. Është i respektuar nga të gjithë në ekip, sepse është i thjeshtë, natyral, nuk bërtet kurrë”.
Në fund, Roncero është bashkuar me zërat që e shohin Benzema kandidat serioz për Topin e Artë këtë vit: “Do të ishte një nderim i merituar për të. Nëse këtë çmim e kanë fituar Owen apo Sammer, si mund të mos e meritojë Benzema, gjeniu i llambës?”.