Një ndër lojtarët më në formë të futbollit botëror është sulmuesi norvegjez Erling Haaland.
Ylli i Dortmundit ka shënuar 11 gola në 8 ndeshjet që ka luajtur në sezonin e ri, duke vijuar me paraqitjet spektakolare të sezonit të shkuar.
Natyrisht, klubet më të mëdhenj në planet e duan, por Bayern ka hequr dorë për shkak të çmimit të lartë. Chelsea ka marrë Lukakun dhe nuk do të futet në ankand, ndërsa Dortmundi në verë vendosi të mos pranonte asnjë ofertë.
Ne verë 2022 natyrisht do të jetë tjetër histori dhe do të futet në lojë edhe Reali, që po liron vend, duke mos rinovuar me disa nga lojtarët e panevojshëm, si Bale, Isco e Marcelo. Gjithashtu, Jovic e Mariano do të dalin në shitje, ndoshta edhe Asensio e Hazard.
Këto lëvizje do të mundësonin blerjen e Haaland, me Mbappe, i cili del i lirë në treg në verë 2022 dhe me shumë gjasa do të firmosë për Los Blancos.
Natyrisht, Haaland është mision i vështirë dhe duhen mbi 100 milionë euro, por vetë Haaland zor se pranon të shkojë tek PSG dhe nuk dihet nëse klubet angleze do të kenë dëshirë të shpenzojnë aq shumë, edhe pse Manchester City ka nevojë për një sulmues të tillë.