Eduardo Camavinga ka vetëm pak javë që është bashkuar me Real Madridin, por menjëherë e ka treguar cilësinë e tij dhe të gjithë po binden që ishte një investim perfekt.
Vetëm 18 vjeç, francezi po rritet nga java në javë dhe kundër Mallorcas luajti ndeshjen e parë si titullar në Bernabeu.
Në atë ndeshje Camavinga mori vendin e “shkëmbit” të mesfushës, Casemiro, duke bërë mjaft mirë sidomos në fazën sulmuese, kur topin e kishte Reali.
Qartësisht, Camavinga me topin është shumë i zoti dhe ka të ardhme të shkëlqyer. Ajo që Camavinga nuk arrin ende ta bëjë është të mbulojë mesfushën si Casemiro, të bllokojë hapësirat dhe të prishë aksionet kundërshtare pa lënë gropa në fushë, gjë që i ndodhi disa herë ndaj Mallorcas.
Ne Spanjë raportohet se Ancelotti i ka kërkuar Camavingas që të studiojë videot e Casemiros, për të kuptuar vendosjen taktike në mesfushë dhe për të imituar lëvizjet e brazilianit. Nëse do ia dalë, Camavinga do bëhet një yll me përmasa të jashtëzakonshme, duke parë aftësitë dhe klasin e tij me topin.