Kur këtë verë kapiteni Sergio Ramos u largua, duke mos rinovuar, ndërsa Raphael Varane u shit tek Manchester United, të shumtë ishin ata që u habitën, edhe për faktin se prisnin ndonjë goditje të madhe nga Reali në mbrojtje.
Megjithatë, blerja e re mund të quhet pa frikë Militao. Deri pranverën e shkuar braziliani nuk luante rregullisht dhe mendonte edhe largimin, por brenda një kohe të shkurtër jeta e tij ka ndryshuar dhe fillimisht me Zidane e pastaj me Ancelottin është kthyer në të paprekshëm.
Në prill Militao kishte vetëm 7 ndeshje të luajtura, 4 humbje e 3 fitore, duke qenë i pranishëm në humbje të hidhura. Megjithatë, kur lojtarët e tjerë pësuan dëmtime, erdhi shansi për brazilianin, i cili e shfrytëzoi në mënyrë perfekte. Në 3 prill Militao u kthye titullar dhe që atëherë ka luajtur çdo ndeshje për Realin.
Sot, në Valencia, do të luajë ndeshjen e 19-të rresht në të gjitha kompeticionet, me 1710 minuta aktivizim. Asnjë lojtar i Realit, përveç portierit, nuk ka luajtur kaq shumë.
Rezultatet flasin vetë: 19 ndeshje, 12 fitore, 6 barazime e 1 humbje, me vetëm 16 gola të pësuar. Këtë sezon Militao është mbrojtësi i vetëm që ka luajtur çdo ndeshje. Natyrisht, edhe tek Brazili situata ka ndryshuar dhe tashmë Militao është titullar, duke luajtur 9 nga 11 ndeshjet e skuadrës “verdeoro”.
Edhe vlera e Militaos në treg ka pësuar rritje, duke shkuar në 40 milionë euro sipas Transfermarkt.de, por rritja do të jetë edhe më e madhe në muajt e ardhshëm, duke parë nivelin e brazilianit, që nga ushtar është kthyr ne kapiten.