Reali i Madridit ka plane madhore për verën e ardhshme, ku do të tentohet blerja e lojtarëve të klasit botëror, si Mbappe, Haland e Pogba, ndër të tjerë.
Për këtë arsye, duhen grumbulluar fonde dhe duhet krijuar vend në ekip, pasi në këtë moment Los Blancos janë të kompletuar thuajse në çdo pozicion.
Megjithatë, mediat spanjolle raportojnë se Florentino Perez me stafin e tij kanë vendosur piketat dhe tashmë kanë marrë vendimin për disa nga veteranët e ekipit.
Gareth Bale është lojtari i parë i cili do të lihet i lirë në fund të sezonit aktual. Uellsiani ishte në shitje që në verë, por askush nuk pranoi të merrte përsipër pagën e tij të rëndë.
Isco gjithashtu është në përfundim të kontratës dhe Reali do ta lërë të lirë, nëse në janar nuk do ta sistemojë dot diku, ndoshta duke ia ofruar Sevillas.
Edhe Marcelo është në fundin e karrierës madrilene, sepse ka kohë që nuk luan rregullisht dhe Reali nuk ka arsye pse të rinovojë, duke parë edhe pagën e tij të rëndësishme.
E paqartë mbetet situata e Luka Modric, edhe ai në fund karriere, por shumë i dashur për tifozerinë madrilene.
Largimet, qoftë edhe falas, do të bënin që Reali të kursente 60 milionë euro veç nga pagat që jep për Isco, Bale e Marcelo, duke krijuar një fond të rëndësishëm për merkaton.