Real Madrid ka plane shumë ambicioze për verën e ardhshme dhe nëse do të realizohen edhe vetëm gjysmat e goditjeve që po përfliten, do të kthehet me të drejtë emërtimi Galacticos.
Natyrisht, emri i madh që pritet të shkojë në Madrid është Kylian Mbappe, por sulmuesi francez nuk është i vetmi në shënjestër, sepse edhe emra si Mathijs de Ligt e Paul Pogba mund të veshin fanellën e ‘mbretërorëve’.
Ndërkaq, Karim Benzema do do të mbushë 34 vjeç në fund të këtij viti, ndaj Reali me të drejtë po sheh edhe për pasardhësin e tij. pavarësisht se Benzema ka qenë spektakolar këto sezonet e fundit dhe nuk po jep shenja plakjeje.
Sipas raportimeve që vijnë nga Spanja, Florentino Perez ëndërron Erling Haland, por kostoja e tij e frikshme e shtyn të mendojë plan B dhe ka piketuar Dusan Vlahovic si pasardhësin e Benzema, me sulmuesin serb që po shkëlqen me Fiorentinën në Serinë A.
Sulmuesi 21-vjeçar ka pasur oferta të rëndësishme edhe këtë verë, por ka qëndruar në Firence, për sezonin që pritet të jetë i fundit për të aty.
Ndryshe nga Haland, Vlahovic kushton më pak, 60-70 milionë euro, si dhe pretendimet për kontratën dhe komisionet janë më të përballueshme, edhe pse në garë është edhe Atletico Madrid.