Eden Hazard gjatë ndërprerjes së kampionatit për ndeshjet e kombëtareve ishte një ndër lojtarët më të mirë të Belgjikës, me një gol e një asist, lojë të nivelit të lartë, me pak fjalë Hazardi i vërtetë. Këtë e evidentoi edhe trajneri i Belgjikës Roberto Martinez: “Fakti që erdhi me ne edhe në Bjellorusi, edhe pse i thashë që do bëntë pushim, tregon që Eden është kthyer, në të gjitha nivelet! Mendërisht është i përgatitur dhe është i lumtur, nuk ka asnjë problem fizik”.
Edhe starti i sezonit me Realin ka qenë pozitiv, me 3 ndeshje titullar në 4 javët e para, por ylli i Belgjikës duket se ka probleme të vjetra, sepse kundër Interit në Milano, në mesjavë, nuk luajti asnjë minutë.
Burime pranë lojtarit sigurojnë për mediat spanjolle se Hazard nuk ka probleme fizike, nuk ndien dhimbje në gju, por në Madrid kanë frikë nga dëmtimet e tij muskulore dhe Ancelotti është i detyruar ta ruajë fantazistin e vet.
Në Valencia të dielën Hazard ka shumë shanse të luajë titullar, pavarësisht nga shpërthimi i Vinicius, i cili pikërisht në të majtë ka shkëlqyer, aty ku luan Hazard.
Në këtë moment Vinicius është përpara Hazard në hierarki dhe belgu duhet të luftojë për një vend me Bale (i dëmtuar), Rodrygo e Asensio. Edhe Ancelotti nuk ka ndërmend të tolerojë: sipas mediave në Spanjë, italiani ka biseduar me Hazard dhe ia ka bërë të qartë se nëse nuk arrin formën e vet perfekte, nuk do të luajë rregullisht.
Hazard u transferua te Reali në vitin 2019, për 100 milionë euro, por forma e tij tek Chelsea ishte shumë më e mirë sesa në Madrid, ku ka luajtur vetëm 34 herë titullar, duke përfunduar vetëm 4 prej tyre, me 5 gola e 7 asiste në dy sezone. Belgut i duhet kohë, Ancelotti do t’ia japë këtë sezon, me synimin për ta rikthyer në formë perfekte dhe për të pasur praktikisht një super blerje të re në ekip.