Real Madridi ndodhet në një moment shumë të mirë përsa i përket transferimeve ku pothuajse ka mbyllur marrëveshje me lojtarë shumë cilësorë, por edhe largimet nga skuadra nuk do jenë të pakta. Lidhur me këtë çështje është shprehur edhe Dani Ceballos në një intervistë në “Deportes Cope”.
Dëshira e tij: “Jam një njeri shumë ambicioz, kam edhe 4 vite të tjera në kontratë dhe kam një klauzolë të lartë. Objektivi im është të triumfoj tek Real Madridi dhe besoj se do ja arrij.”
Biseda me Zidane: “Zidane gjithmonë ka qenë i qartë me mua, nuk më ka gënjyer kurrë. Nuk do t’jua them se çfarë më ka thënë sepse është private, por si në etapën e tij të parë si trajner, ashtu edhe tani, ka qenë gjithmonë i qartë me mua. Ndoshta fjalët që thashë pas largimit të tij nuk ishin të duhurat.”
Dëshira për të qenë titullar: “Jam një lojtar që më pëlqen të kem minuta loje dhe të jem i rëndësishëm për skuadrën. Gjithsesi, do të shohim sezonin që vjen.”
Destinacionet e mundshme: “Unë dua të luaj patjetër dhe nuk kam frikë të largohem nga Spanja. Mund të shkoj në Itali, Gjermani ose Kinë, s’ka rëndësi. Kudo që të shkoj, mjafton të kem minuta loje dhe të jem i rëndësishëm.”