Në konferencën e dhënë sot për media në prag të ndeshjes ndaj Betis, Zinedine Zidane ka qenë shumë i qartë në atë që kërkon për sezonin e ardhshëm: të jetë ai dhe vetëm ai që do e ndërtoje skuadrën, e veçanërisht pozitën e portierit, pozitë në të cilën ai insiston për djalin e tij, Luca Zidane.
”Do të vendos unë se kush do të jetë portieri i parë dhe i dytë”, potencoi Zidane. ”Është vendimi im. Është e pastër si uji. Nëse nuk mund të bëj çfarë dua me skuadrën, do të largohem, kjo është e sigurt.”
”Pastaj janë drejtuesit që i bëjnë blerjet dhe atë do e bëjmë sëbashku, por formacionin e titullarëve, stolit, ata që nuk janë në skuadër, kjo më përket vetëm mua, jam unë që duhet të vendos.”
U raportua në media që Keylor Navasit i është thënë që mund të largohet në verë, por Zidane ka mohuar të ketë marë ndonjë vendim zyrtar.
”Nëse i kam thënë lamtumirë, nëse dua që ai të largohet… ka vetëm një ndeshje të mbetur,” vazhdoi ai. ”Pozita e portierit do të jetë e qartë sezonin që vjen, por kjo është e gjitha. Do të shohim se çfarë do të ndodhë.”
”Sa i përket Keylor, që e di se çfarë i kam thënë personalisht, të tjerët nuk e dinë. Kam folur me të gjithë. Navas ka një kontratë, do të shohim se çfarë do të ndodhë.”
Nëse Navas vendos të largohet, mendohet që bordi drejtues dëshiron Andriy Lunin të jetë zëvendësuesi i Thibaut Courtois për sezonin tjetër, por Zidane insiston që djali i tij Luca të ketë këtë rol.
”Nuk është çështja se është e padrejtë për faktin që Luca është djali im por sepse ai ka kaluar gjithë jetën në Real Madrid dhe ka treguar që është mjaftueshëm i mirë për të qenë pjesë e këtij klubi,” theksoi Zidane.
”Do të jetë shumë e qartë për të në vitin që vjen dhe unë nuk kam folur me klubin që e dua Lucan si portierin e dytë. Është diçka që do e vendosim në momentin e duhur për portierët dhe për të gjithë lojtarët, por fakti që ai është në skuadër nuk është për arsyen se është djali im. I kam thënë që para 17 vitesh; shok, e gjithë jeta jote do të jetë e tillë.”
Gareth Bale është një tjetër lojtar me profil të lartë që është lidhur vazhdimisht me një largim nga Reali.
”Gareth do të jetë me ne në ndeshjen ndaj Betis, kjo është e gjitha që mund t’ju them”, theksoi Zidane. ”Nuk e di nëse do të jetë ndeshja e tij e fundit, këtë mund t’a nxjerni ju. Është fundi i sezonit dhe do të ketë ndryshime.”
Real Madridi ka përfunduar sezonin duke mos luftuar për asgjë dhe kjo ka bërë që në skuadër të flitet për ndryshime të mëdha.
”Është e qartë që kjo ndeshje e fundit nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë por ne duam t’a mbyllim sezonin mirë,” tha Zidane.
”Duam t’ju japim lamtumirën tifozëve, ka qenë një vit i vështirë por ne duam t’ju dërgojmë një mesazh fansave që do të rikthehemi me emocione të larta dhe me punë të palodhshme në mënyrë që ata të jenë krenar për lojtarët.”
”Do të japim gjithçka për të ndryshuar. Nuk po them që do të fitojmë gjithçka por do të përgaditemi për të patur një vit madhështor, kjo është e gjitha që mund t’ju siguroj. Ka qenë një sezon i vështirë dhe është mirë që po mbaron.”