Sigurisht që Eden Hazard është një lojtar që do e donte secila skuadër në botë, një lojtar i klasit botëror, një ndër më të mirët në qarkullim – jo më kot Real Madridi do ta transferojë në Bernabeu sezonin e ardhshëm.
Por me ardhjen e lojtarit belg, lind një problem madhor një problem të cilit mund t’i vëmë 3 emra: “VINICIUS JUNIOR, ISCO ALARCON & MARCO ASENSIO”.
Vini, Isco dhe Asensio janë lojtarët që do duhet të rivalizojnë me Eden Hazard sezonin e ardhshëm, por dihet që lojtari belg është titullar i padiskutueshëm kështu që 3 lojtarët e lartpërmendur do duhet që në pjesën më të madhe të sezonit, të qëndrojnë në stol.
Hazard është një lojtar i një profili gati të njëjtë e Iscon & Asension, një lojtar që merr topin nga krahu apo nga mesfusha dhe niset drejt portës kundërshtare duke dribluar apo duke krijuar raste për bashkëlojtarët. Vinicius nga ana tjetër është një lojtar tipik krahu dhe luan në të njëjtin pozicion si belgu. Ardhja e Hazard do bëjë që progresi i mirë Vinicius të frenojë.
Vinicius shihet si ylli i ardhshëm i futbollit botëror dhe nëse sezonin e ardhshëm do përballej me mungesën e minutave të lojës, do ishte realisht një problem shumë i madh për të ardhmen e tij.
Gjithsesi, ky është një problem ‘i bekuar’ të cilin do duhet ta zgjidhë Zidane. Sipas ekspertëve, francezi nuk do përdorë më skemën 4-3-3, por do përdorë atë 4-4-2, me Benzema dhe Hazard në sulm dhe dhe Vinicius që do ketë mundësi të luajë në krahë.
Sidoqoftë, ajo çfarë është e qartë deri tani është fakti që ardhja e Hazard do sjellë një panoramë të re në stilin e lojës së Real Madridit.