Tjetër humbje. Tashmë janë 11 humbje në La Liga dhe 17 humbje gjithsej këtë sezon. Real Madridi i këtij sezoni është një Real Madrid rekord, një Real Madrid që po regjistron statistikat më të dobëta të 20 viteve të fundit (që nga sezoni 98/99).
Real Madridi më i dobët i shekullit XXI. Për fat të mirë, ashtu siç e pranoi dhe Zidane, ngelet vetëm edhe një ndeshje që të përfundojë kjo rënie e lirë e Real Madridit, me shpresën për t’i ndryshuar gjërat sezonin e ardhshëm.
As Zidane nuk ka mundur ta frenojë ‘hemoragjinë’ e Real Madridit. Që nga muaji mars, Real Madridi ka qenë jashtë çdo gare. Barcelona tashmë ka fituar kampionatin duke qenë 18 pikë larg Real Madridit. Reali nga ana tjetër nuk është i aftë të fitojë një ndeshje jashtë fushe që nga 10 marsi. Janë dy muaj në të cilët lojtarët e udhëhequr nga Zidane nuk kanë arritur të marrin fitore jashtë fushe as në Leganes, as në Getafe, as në Valencia, as në Vallecas dhe as dje në San Sebastian.
Ka mbetur edhe një javë në La Liga, deri tani Real Madridi ka shënuar 25 gola më pak se Barcelona (88-63) dhe ka pësuar 44 gola. Këto janë statistika të papranueshme për një ekip që teorikisht, duhet të synonte të fitonte La Ligan dhe çdo trofe tjetër të mundshëm.
Dje pësuam 3 gola, por duhet të jemi ‘të kënaqur’ pasi mund të kishim pësuar shumë më shumë. Real Sociedad humbi një penallti, goditi 2 herë shtyllën, 3-1 ishte gjysma e së keqes. Pavarësisht se në pjesën e parë Jesus Vallejo doli me të kuq duke lënë Realin me 10 lojtarë, kjo nuk e zbeh aspak rezultatin, përkundrazi. Rezultati ishte jo si pasojë e kartonit të kuq, por ishte si vazhdimësi e një sezoni që duhet harruar sa më shpejt. Vetëm 21 fitore në 37 ndeshje të luajtura në La Liga, 5 barazime dhe 11 humbje, për të mos përmendur pastaj statistikat në Champions dhe në Kupë.
Nëse Reali humbet në ndeshjen e fundit ndaj Betis, do shkonte në shifrën e 18 humbjeve, statistikat e dyta më të dobëta në të gjithë historinë e klubit.
Një Madrid për rekord, një Madrid që erdhi nga fitimi i 3 trofeve të Champions rradhazi, në një situatë që…
…nuk ka nevojë për koment!