Joao Felix është fenomeni i fundit që është shfaqur në futbollin Europian. Për vetëm më tepër se gjysmë sezoni në Benfica, ai ka arritur të ngjallë interesimin e të gjithë të mëdhenjëve të Europës.
Ka vetëm 19 vjeç, shënon si një i çmendur dhe ka një klauzolë largimi prej 120 milion eurosh. Agjenti i tij është Jorge Mendes dhe vetëm kaq mjafton që beteja për shërbimet e talentit të jetë akoma më e nxehtë.
Real Madridi dhe Barcelona janë vënë pas sulmuesit dhe të dy klubet kishin dërguar emisarët e tyre në ndeshjen ndaj Frankfurt në Europa League, ndeshje në të cilën ai shkëlqeu duke shënuar katër gola.
Nuk do të jetë aspak e lehtë edhe për dy gjigantët Spanjoll teksa për shërbimet e lojtarit interesohen seriozisht edhe Manchester City dhe Bayern Munich, ndërsa drejtuesit e Benficas veçse kanë refuzuar një ofertë prej 75 milion eurosh nga Juventus.
Të gjithë të mëdhenjtë e Europës janë vënë pas Felix ndërsa për të kuptuar lëvizjen e tij të ardhshme do të duhet të presim edhe disa muaj, atëherë kur merkatoja do të hapet edhe zyrtarisht.
Por një gjë është e sigurt, Joao Felix do të jetë pjesë e një ekipi të madh Europian në këtë verë!