Zinedine Zidane është njeriu që Florentino Perez e kërkon në stolin e Real Madridit.
Tekniku francez po konsiderohet si trajneri i vetëm që mund ta rikthejë Real Madridin në rrugën e duhur, pas eleminimit të tyre nga çdo kompeticion i mundshëm në këtë sezon.
Santiago Solari tashmë ka humbur besimin e klubit dhe nuk do të jetë në krye të stolit Madrilen sezonin e ardhshëm.
Ideja për rikthimin e Zidane i shkoi në mendje Perezit menjëherë pas eleminimit të ekipit Madrilen nga Liga e Kampionëve, të cilin ia shkaktoi Ajaxi duke e mposhtur me rezultat 4-1 midis Bernabeut.
Ndonëse, Perez nuk mundi ta bindte Zidane për të qëndruar në verë, ndjeshmëria e situatës aktuale shton dozën e besimit që francezi do të jetë i hapur për një rikthim.
“Rrethanat për një kthim të mundshëm kanë ndryshuar “tha një zë autoritativ javën e kaluar, duke folur hapur për situatën e Solarit dhe Zidane.
Cristiano Ronaldo tashmë është larguar, ndërsa Gareth Bale dhe Isco mund të bëjnë të njëjtën gjë.
Kësisoji Zidane, në rast të ri-emërimit si trajner i Real Madridit, duhet të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë me dyshen në fjalë.
Vlen të kujtohet se Zidane është ende i lidhur me qyetetin e Madridit, në të cilin erdhi në vitin 2001, për shkak se dy djemtë e tij luajnë ende aty.
Zidane, edhe pas largimit nga Reali, ka vazhduar si më parë jetën e tij në Madrid, veçse pa stresin e punës.
Ndryshe, lista e trajnerëve për të udhëhequr me Real Madridin është zvogëluar.
Emri i Jose Mourinho është hedhur poshtë tani për tani, pavarësisht interesit të tij.
Kurse, Jurgen Klopp dhe Mauricio Pochettino mbeten në listë, por kontratat e tyre, njëjtë si ajo e Massimiliano Allegrit me Juventusin, i komplikojnë gjërat.