Ndonëse ekipi i tij gjendet 5 pikë larg vendit të parë, Santiago Solari insiston se ata kanë ende mundësi për ta fituar La Ligan dhe se do të luftojnë deri në fund për këtë trofe.
Këto komente, tekniku Madrilen i bëri në një konferencë për media përpara ndeshjes se nesërme ndaj Huescas me fillim nga ora 16:15.
“Nuk mendoj se do të kemi nevojë për të nxitur motivimin. Do të luftojmë për titullin e ligës deri në fund”, u shpreh Solari.
Sa i përket ndeshjes se nesërme ndaj Huescas, Solari tha se pret që lojtaret e tij të jenë serioz në mbrojtje dhe agresiv në sulm.
“Nuk kam dyshim për maksimumin që do të kërkohet nga ne që nga minuta e parë”, deklaroi Solari.
Tekniku Madrilen edhe kësaj radhe u pyet rreth formacionit startues, por njëjtë si herave të tjera ai nuk zbuloi asgjë nga 11-shja me të cilën do të startojë nesër.
Ai vetëm siguroi gazetarët se për të nuk ka një 11-she fikse dhe se formacionet ndryshojnë në bazë të ndeshjeve.
“Ka shumë gjëra për t’u marrë në konsideratë, siç janë situatat, momentet e formës, lëndimet dhe vendimet e kundërshtarit. Ka shumë faktorë. Nuk besoj se kam një 11 fikse”, bëri të ditur 42 vjeçari.
Solari tregoi se e ka përgëzuar Balen për angazhimin që bëri për tu rikuperuar nga dëmtimi që e pësoi javë më parë ndaj Valencias, vetëm e vetëm që të jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme.
“Ndonjëherë gjërat nuk ndodhin pavarësisht nga përpjekja që bëni. Nuk kam asgjë për ta kritikuar atë. Ai gjithashtu shënoi një gol fantastik ndaj Romës”, potencoi Solari.
Solari ndonëse e tha se ndeshja mes River Plates dhe Boca Junior ishte më mirë të mos zhvillohej në Bernabeu, e pranoi se është nderë për ta të mirëpresin një ndeshje të këtillë.
“Shpresoj që asgjë e keqe nuk do të ndodh”, deklaroi ai.
Ndeshja mes dy ekipeve e vlefshme për trofeun “Copa Libertadores”, fillon nesër në orën 20:30, disa orë pas takimit të Real Madridit dhe Huesca në orën 16:15.